Forumi Ulqinit
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Forumi Ulqinit

Televizori i par Islam i Ulqinit www.mogulus.com/tviulqin
 
ForumFaqja kryesoreGalleryLatest imagesKërkoRegjistrohuidentifikimi

 

 Dhjetëditëshi i parë i Dhul-Hixhes

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Admin
Admin
Admin


Numri i postimeve : 124
Join date : 20/11/2008

Dhjetëditëshi i parë i Dhul-Hixhes Empty
MesazhTitulli: Dhjetëditëshi i parë i Dhul-Hixhes   Dhjetëditëshi i parë i Dhul-Hixhes EmptyFri Nov 28, 2008 7:10 pm

Dhjetëditëshi i parë i Dhul-Hixhes
Shkruar nga Ahmed Kalaja

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit.

Allahun e Lartmadhëruar e falenderojmë, dhe vetëm prej tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar i cili e meriton të adhurohet veç Allahut dhe se Muhamedi (alejhi selam) është rob dhe i Dërguari i Tij.

Begatitë e Allahut ndaj robërve të Tij janë të mëdha e të panumërta, siç thotë dhe Allahu i Madhëruar në Kur`an:- "Nëse ju doni t'i numëroni begatitë e Allahut ndaj jush, nuk do të mund t'i numëroni." Ibrahim 34

Prej këtyre begative të panumërta janë edhe periudha të veçanta në të cilat njerëzit vepërmirë i shtojnë veprat e mira. Prej këtyre periudhave janë edhe dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes.

Prej natyrës së njeriut është hutimi dhe harresa, por kjo nuk do të thotë që t'i humbim shpresat nga mëshira e falja e Allahut por t'i shtojmë veprat e mira, sidomos në ato raste të volitshme në të cilat nëse vepron një të mirë, Allahu e shumëfishon deri në shtatëqind, e ti del prej tyre me shumë e shumë të mira. Të tilla raste ia kujtojnë njeriut Zotin e tij nëse e harron, raste të tilla e thërrasin njeriun në teube ndaj Krijuesit, Furnizuesit. Sa më shumë të pendohemi e të kthehemi tek Allahu i Madhëruar, aq më shumë do të rregullohet gjendja jonë në këtë botë dhe në tjetrën.



Vigjilenca në shfrytëzimin e rasteve të volitshme

Vëllai i nderuar!

Besoj se e ke vënë re sesi mundohen t'i shfrytëzojnë studentët ditët dhe netët e provimeve, apo tregtarët sezonet e ndryshme të panaireve. Sa lodhen e mundohen ditëve të pushimeve dhe festave, janë gati të bëjnë të pamundurën kush e kush të tërheqë sa më shumë klientë. Këto janë me të vërtetë raste të volitshme fitimi për poste e pasuri të kësaj bote. Por çfarë mendon ti për tregtinë me Allahun e Madhëruar?!



Ç`mendon kur ti shet dhe Allahu blen? A e di ti se çfarë shkëmbehet në këtë tregti?

Besimi dhe puna e mirë shpërblehet me Xhenet.

Sa të japësh do të të jepet, e mirësia e Allahut është më e madhe se ajo që ne meritojmë.



Dhjetëditëshi i parë i Dhul-Hixhes

Ja, dhjetëditëshi i parë i këtij muaji të shenjtë po troket në dyert tona. A mos vallë do ta lemë të shkojë e të na rrëshqasë nga duart ashtu siç na kanë ikur sa e sa raste të tilla pa përfituar prej tyre?!



Vlera e dhjetëditëshit të parë të Dhul-Hixhes

Për këto dhjetë ditë është betuar Allahu i Madhëruar në Kur`an, e siç e dimë Allahu betohet në çfarë të dojë Ai, ndërsa ne nuk na lejohet të betohemi vetëm se në Allahun e Madhëruar. Betimi i Allahut për ndonjë prej krijesave të Tij është një lloj tërheqje vërejtjeje, dhe dhënie e një rëndësie të vaçantë asaj për të cilën betohet.

Allahu i Madhëruar thotë:-

"Pasha agimin. Pasha Dhjetë Ditët. Pasha Tekun dhe Çiftin." El-Fexhr 1-3

Dhjetë ditët ka për qëllim dhjetëditëshin e parë të Dhul-Hixhes, siç ka ardhur ky shpjegim në hadithin e Xhabirit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se Profeti (alejhi selam) ka thënë:-

"Dhjetë ditët" janë dhjetë ditët e Kurbanit (Dhul-Hixhes), "teku", dita e Arafatit, "çifti", dita e Kurbanit."

Transmeton Imam Ahmedi

Allahu i Madhëruar ka thënë:-

"Përmendin (besimtarët) Allahun në ditët e caktuara, të njohura prej tyre." El-Haxh 28

Ibn Abasi ka thënë se "Ditët e njohura" ka për qëllim dhjetëditëshin e parë të Dhul-Hixhes.

I Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë në hadithin të cilin e transmeton Buhariu:- "Nuk ka ditë në të cilat punët e mira të jenë më të dashura tek Allahu sesa kryerja e tyre në këto dhjetë ditë." Thanë: - edhe më të dashura se Xhihadi (nëse bëhet në kohë tjetër)? Tha:- "Më të dashura edhe se xhihadi (në kohë tjetër), vetëm nëse dikush del në xhihad me veten dhe pasurinë e tij e nuk kthehet me asnjërën prej tyre (nga xhihadi)."

I Dërguari i Allahut (alejhi selam) gjithashtu ka thënë siç e transmeton Tabaraniu dhe Ahmedi:- "Nuk ka ditë më të mëdha tek Allahu i Madhëruar, e që Allahu t'i dojë veprat e mira në to më shumë se në çdo kohë tjetër sesa dhjetëditëshi i Dhul-Hixhes, prandaj bëni sa më shumë Tehlil (La ilahe ilallah), Tekbir (Allahu ekber) dhe Tahmid (Elhamdulilah)."

Seid Ibnu Xhubejr, transmetuesi i hadithit të Ibn Abasit në të cilin janë përmendur këto dhjetë ditë, tregohej aq i kujdesshëm e përpiqej aq shumë në kryerjen e veprave të mira saqë askush nga ne nuk mund ta bëjë një gjë të tillë.

Ibn Haxheri ka thënë:- Me sa duket i është dhënë përparësi këtyre ditëve ndaj të tjerave, sepse në këto ditë gërshetohen disa adhurime kryesore si: namazi, agjërimi, sadakaja, haxhi e nuk bëhet një gërshetim i tillë vetëm se në këto ditë.



Cilat janë më të mira?

Lind pyetja se cilat ditë janë më të mira; dhjetëditëshi i parë i Dhul-Hixhes apo dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit?

Dijetarët kanë dhënë shumë mendime por më i drejti inshaallah është se: Netët e dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit janë më të mira se dhjetë netët e para të Dhul-Hixhes, sepse në këto netë ka falje, lexim Kur`ani e garim për të arritur natën e Kadrit. Ndërsa dhjetëditëshi i parë i Dhul-Hixhes është më i mirë sesa dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit sepse në këto ditë është dita e Arafatit, e Kurbanit dhe dita e Teruijes. Dihen hadithet që janë transmetuar për mirësinë e secilës prej këtyre ditëve.

Ibn Tejmije ka thënë: "Dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes janë më me vlerë sesa dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, ndërsa dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë më me vlerë sesa netët e dhjetë ditëve të para të Dhul-Hixhes." Mexhmu ul fetaua 26/11



Çfarë pëlqehet të behet në këtë dhjetëditësh

Fjala e të Dërguarit të Allahut (alejhi selam) "El Amel" përmbledh në vetvete të gjitha punët e mira. Parashtesa EL në gjuhën arabe është përfshirëse e të gjitha degëve dhe pjesëve që mund të futen në këtë emër (punë), por ne do të veçojmë disa prej tyre që janë më parësoret e më të rëndësishmet, dhe njëkohësisht më të lehtat për t'u kryer.

Kryerja e namazeve farz

Jo vetëm kaq por pëlqehet sidomos në këto ditë edhe ardhja shpejt për kryerjen e tyre. Allahu thotë:- "Janë besimtarët ata të cilët tregojnë kujdes ndaj namazeve."

Shtimi i namazeve synet e vullnetare

Nuk ka dyshim se namazi më i dashur tek Allahu i Madhëruar pas farzit është kryerja e synetve dhe nafileve. Hadithi i njohur në sahihun e Buhariut:-"Robi im nuk afrohet tek Unë me gjë tjetër siç më afrohet kur kryen obligimet (farzet), e kështu shtohet afrimiteti mes Meje dhe atij, në varësi të veprave vullnetare që ai kryen, e jo të obliguara, derisa ta dua e nëse e …."

Apo hadithi tjetër në Sahihun e Muslimit:-"Mundohu të bësh sa më shumë sexhde, sepse sa herë që ti bën sexhde, Allahu i Madhëruar ta ngre një gradë dhe ta fshin një gabim."

Kjo përfshin çdo kohë por veçanërisht këto ditë. Hadithi tjetër në Buhari dhe Muslim:-"Nuk ka musliman që të falë për Allahun dymbëdhjetë rekate në ditë e të mos i ndërtohet atij një shtëpi në xhenet."

Kujtojmë këtu synetet para apo pas farzeve, namazin e duhasë, namazin e natës, vitrin, namazin pas abdesit etj.

Agjërimi

I cili konsiderohet gjithashtu si vepër e mirë sidomos në këto dhjetë ditë. Hafsa (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) tregon se: i Dërguari i Allahut (alejhi selam) katër gjëra nuk i linte kurrë: agjërimin e Ashuras (ditës së dhjetë të Muharremit), agjërimin në dhjetë ditët e Dhul-Hixhes, agjërimin e tri ditëve të çdo muaji dhe faljen e dy rekateve përpara sabahut."

Trans. Ahmedi, Ebu Daudi, Nesaiu.

Abdullah Ibn Umer (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre) i agjëronte, Muxhahidi e të tjerë dhe shumica e dijetarëve kanë thënë se është i pëlqyeshëm agjërimi i këtyre dhjetë ditëve.

I jepet përparësi e veçantë agjërimit të ditës së Arafatit për ata që nuk janë haxhinj, për agjërimin e së cilës Profeti (alejhi selam) ka thënë:-

"Shpresoj prej Allahut që të m'i falë gjynahet e vitit të kaluar dhe të ardhshmit."

Transmeton Muslimi

Përmendja e Allahut

Kjo gjë është e pëlqyer në çdo kohë, por sidomos në këto dhjetë ditë, siç u vu në pah në ajetet dhe hadithet e lartëpërmendura. Dhikri është i pëlqyer për të gjitha llojet e tij por në mënyrë të veçantë përmendim: Tekbirin, Tehlilin, Tahmidin.

Buhariu ka përmendur se Ibnu Umeri dhe Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre) kur futeshin këto dhjetë ditë, dilnin nëpër rrugë e tregje duke bërë Tekbir dhe njerëzit bënin bashkë me ta Tekbir.

Gjithashtu Buhariu ka përmendur se Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) bënte Tekbir në çadrën e tij në Mina saqë dëgjohej në Xhami, bënin Tekbir njerëzit në xhami dhe e gjithë Minaja oshëtinte nga Tekbiret.

Megjithëse janë përmendur këto argumente të përgjithshme nuk do të thotë se tekbiri bëhet në grup, apo njëri para e të tjerët ta pasojnë, sepse në këtë rast kthehet nga synet në bidat.

Format e Tekbireve:

- Allahu ekber, Allahu ekber, Allahu ekber kebira.

- Allahu ekber, Allahu ekber, La ilahe ilallah, uallahu ekber, Allahu ekber, ue lilahil hamd.

- Allahu ekber, Allahu ekber, Allahu ekber, La ilahe ilallah, uallahu ekber, Allahu ekber, ue lilahil hamd.

Garimi në të mira

Kryesisht ky sezon është olimpiada më e mirë për të garuar. Allahu i Madhëruar thotë:- "Në të tilla gjëra (që bëhen shkak për futjen në Xhenet) të garojnë garuesit." El-Mutafifin 26

Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë:- "Garoni, nxitoni në vepra prej të cilave meritoni falje mëkatesh prej Zotit tuaj, e Xhenete gjërësia e të cilëve është sa qiejt e toka, të pregatitur për të devotshmit."

Al-Imran 133

Pendimi

Allahu thotë:- "O ju të cilët keni besuar! Pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë." Et-Tahrim 8

Ndërsa në hadithin e Buhariut thuhet:-"Allahu gëzohet më shumë kur ndonjëri pendohet, sesa ndonjëri prej jush i cili ka qenë me kafshën e tij në shkretëtirë dhe e humb atë, shtrihet duke pritur vdekjen, e zë gjumi, e kur zgjohet e gjen devenë mbi kokën e tij e nga gëzimi thotë: O Zot ti je robi im e unë jam Zoti yt! Gaboi nga gëzimi i madh."

Respektimi i prindërve

Allahu i Madhëruar ka thënë: "Zoti juaj ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër përveç Tij, e që të silleni mirë me prindërit. Nëse ndonjërin prej tyre ose të dy i ka kapur pleqëria nën kujdesin tënd, atëherë mos u thuaj atyre as "Of-oh" e as mos u bëj i vrazhdë ndaj tyre, por thuaju fjalë të mira (të buta respektuese). Dhe tregohu i mëshirshëm ndaj tyre, respektues, modest e thuaj: "Zoti im! Mëshiroji ata të dy sikurse më rritën e më edukuan mua kur isha i vogël." El-Isra 23-25

Në hadithin të cilin e transmeton

Buhariu dhe Muslimi thuhet se: e kanë pyetur të Dërguarin e Allahut (alejhi selam) se cila punë është më e dashur tek Allahu i Madhëruar. Ai tha:- "Namazi në kohën e tij." Po pastaj? Tha:- "Respektimi i prindërve". Po pas kësaj? Tha:- "xhihadi në rrugë të Allahut."

Vizita e të afërmve

Allahu i Madhëruar thotë:-"Kini frikë Allahun me emrin e te Cilit përbetoheni dhe ruajeni farefisin (akraballëkun)"

En-Nisa 1

Ruajtja e shikimit

Allahu i Madhëruar thotë:-

"(O Muhamed!) Thuaju besimtarëve t'i ruajnë shikimet e tyre. Thuaju besimtareve t'i ruajnë shikimet e tyre" Nur 30-31



Vëllezër! Këto janë raste të cilat nuk duhet të na kalojnë pa përfituar, e të mos jemi si shumica që nuk i njohin dhe nuk i vlerësojnë këto dhjetë ditë me teube, kthim të sinqertë tek Allahu i Madhëruar, e të kemi për qëllim vetëm Allahun dhe pasimin e të Dërguarit të Allahut (alejhi selam).

E ta mbyllim këtë vit hixhri (hënor) me të mira se ndoshta Allahu i Madhëruar na fal të kaluarat.

E lusim Allahun të na i falë gjynahet, të na udhëzojë në udhë të drejtë, të na pastrojë zemrat e të na pranojë veprat tona të mira, sepse Ai është Dëgjuesi, Shikuesi, i Gjithëdituri.

Amin

Së fundi: Të gjitha Falenderimet i takojnë vetëm Allahut, paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut Muhamedin (alejhi selam) dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.



Mblodhi dhe përshtati: Ahmed Kalaja
Mbrapsht në krye Shko poshtë
https://ulqin.albanianforum.net
 
Dhjetëditëshi i parë i Dhul-Hixhes
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Dita e parë e Kurban – Bajramit - të Hënën më 8 dhjetor 2008

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Forumi Ulqinit :: Tema te ndryshme-
Kërce tek: